QYTETI-I-BETONIT-Urbanizimi-dhe-gjelberimi-ne-Tetove-e-Gostivar-intro.jpg

Tetova dhe Gostivari janë dy bota të ndryshme për sa i përket hapësirave të gjelbërta. Përderisa betonizimi ka uzurpuar të gjitha hapësirat e gjelbërta në Tetovë, në Gostivar pushteti lokal thotë se i ka shpallur “luftë” mafies urbane

Destan JONUZI

Shkup, 18 mars – Betonizimi i pakontrolluar ka uzurpuar çdo hapësirë të gjelbër në qytetin e Tetovës. Të vetmet hapësira gjelbërimi në këtë qytet i gjen në Kazermën e Tetovës, Stadiumin e qytetit dhe oborret e xhamive. Qytetarët shprehen të mllefosur për këtë katandisje urbanistike të qytetit. “Unë jetojë në ndërtesën përball gjykatës, aty e kanë bërë parking dhe nuk kemi asgjë të gjelbër. Gjithçka është dëmtuar”, thotë një qytetare e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. “Parlamentarët le të më pyesin mua, jo ju!”, tha i revoltuar një banorë tjetër i Tetovës. Dhe, komuna dhe pushteti qendror duket se i kanë harruar qytetarët. Ndërtimet intensive në 15 vitet e fundit në Tetovë kanë shkaktuar kaos urbanistik.

“Ka vende në Tetovë ku duken si kanjon urban, është betonizuar aq shumë saqë nuk qarkullon ajri në ato zona. Nuk ka mundësi fizike të qarkullimit të ajrit dhe erës. Prandaj duhet që planifikimet e tilla të bëhen në kuptimin e zgjerimit të qytetit, jo përqendrimit. Tetova thjeshtë është përqendruar në këtë zonë qendrore”, deklaron për gazetën KOHA, Arianit Xhaferi nga Lëvizja “Eco Guerilla”.

LIGJI QË KRIJOI KAOSIN

Tetova është e stërmbushur me ndërtime të egra, mbindërtime dhe ndërtime të reja. Autoritetet lokale arsyetohen se për këtë kaos urbanistik nuk janë fajtorë planet urbanistike për betonizim, por ndërtimet egra. “Ligji për legalizim ka bërë një zhbërje të madhe të hapësirave publike, për shkak se si i tillë, juve ju obligon si Komunë që të mund të legalizoni objekte banesore dhe afariste, qoftë edhe në shtretërit e lumenjve, e jo më në zonat e gjelbërta. Madje, me vetëm me një vërtetim noterial nga ana e palës, i cili vërteton se objekti është i ndërtuar para vitit 2011”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Por, ndryshe nga Fazliu, mendon eko-aktivisti Arianit Xhaferi, i cili thekson se fajtori kryesor për zhbërjen e hapësirave të gjelbërta është biznesi me banesa.

“Ka humbur gjelbërimi në qytet, për shkak se çdo kund ku ka patur park-gjelbërim, është ndërtuar një pallat rezidencial, thjeshtë për biznesin e banesave që shiten dhe jepen me qira”, thekson Xhaferi. Tetovarët nuk mbajnë mend kur është ndërtuar ndonjë park në qytetin e tyre. Edhe “Eko druri”, i cili ishte donacion i Organizatës “Eko Svest”, tanimë është tharë, për shkak të mos kujdesit të autoriteteve lokale. Edhe pse statistikisht, në Tetovë ka diku rreth 41.123 metër katror sipërfaqe të gjelbër publike, nuk respektohet as në minimum hapësira e gjelbër, e cila sipas standardeve evropiane, për kokë banori duhet të ketë 16 metër kub hapësirë të gjelbër. Komuna e Tetovës ka bërë identifikimin e tetë zonave të gjelbërta, por nuk ka asnjë regjistër se sa drunj ka të mbjellur në qytet, as sa hapësira të gjelbër dhe parqe. Edhe sipas planifikimeve, nuk është paraparë asnjë park që të ndërtohet në qendër të qytetit.

GOSTIVARI NDRYSHE NGA TETOVA

Në 20 kilometra larg nga Tetova gjendet Gostivari. Këtu situata është pak më ndryshe, por mungon vetëdija e qytetarëve për ruajtjen e hapësirave të gjelbërta. Qytetarët janë të ndarë në mendime për angazhimin e Komunës në kujdesin për hapësirat e gjelbërta. “Edhe pse një pjesë e madhe është zaptuar nga ndërtimi i madh i pakontrolluar, megjithatë mbeten hapësira gjelëbrimi”, thotë një qytetarë i Gostivarit. “Më shumë janë ndërtesa sesa gjelbërim. Qyteti është i mbingarkuar me beton”, shprehet për gazetën KOHA, një banore e Gostivarit.

Gostivarasit mendojnë se në ndotjen e ambientit dhe hapësirave të gjelbërta, gisht kanë edhe vet qytetarët. “Njerëzit hedhin mbeturina edhe prej shtëpie që i bien për fat të keq, por ndonjëherë edhe vet kur janë duke ngrënë diçka, ambalazhin e gjuajnë ashtu pa pasur kujdes, qoftë në ujë, qoftë në këto hapësira, në këtë gjelbërim”, thotë një banorë i Gostivarit. Edhe Gostivari ka qenë cak i ndërtimeve të egra dhe uzurpimit urbanistik. Por, kreu i Komunës, Arben Taravari, thotë se për të ruajtur hapësirat e gjelbërta, i është shpallur “luftë” mafies urbane.

“Kemi tentuar dhe kemi luftuar të mbajmë balancë me mafinë urbane të mos ndodhe asgjë e paligjshme”, thotë për gazetën KOHA, Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit. Ndërsa eko-aktivisti Valbon Limani, thekson se në qytetin e Gostivarit, ashtu siç është edhe në qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut, betonizimi ka kryer pjesën e vet të punës. Mirëpo për dallim prej qyteteve tjera, këtu është më pak i theksuar. Komuna, thotë ai, kujdeset për hapësirat e gjelbërta, dhe se po punohet në shtimin e tyre, ndërsa aktivistët ekologjik thonë se duhet një strategji nacionale për hapësirat e gjelbërta.

“Fatkeqësisht është urbanizuar shumë qyteti dhe nuk mund të gjejmë vende për të investuar në gjelbërim. Ato vende ku i gjejmë, ku ka vend për t’u gjelbëruar për të vendos drunj, për të mbjellë drunj, ne do vazhdojmë të krijojmë sa më shumë”, theksoi kreu i Gostivarit, Arben Taravari. Nga ana tjetër, Limani potencon se ky problem është kompleks dhe nevojitet kyçja e të gjithëve, institucioneve relevante. “Të gjitha institucionet relevante së bashku duhet të punojnë me qytetarët dhe me sektorin civil për tu arrit një rezultat, i cili do të ishte i kënaqshëm për qytetarët e Gostivarit. Mendoj se ndryshimet duhet të bëhen në suaza të Komunës në bashkëpunim me pushtetin qendror…”, thotë aktivisti Limani. Edhe pse në Komunën e Gostivarit ka dy parqe qendrore, kënde për fëmijë, hapësira të gjelbërta, nuk ka një evidencë të qartë se sa drunj ka në këtë qytet edhe pse në pamje janë në numër të konsiderueshëm. Autoritetet janë në përgatitje të strategjisë për ajër dhe ambient të pastër, në të cilën do të krijohet edhe një kadastër e gjelbërt, ku do të përfshihet edhe numri i saktë i drunjëve.

Со оваа сторија Koha се приклучува кон кампањата за подобра животна средина „Не игнорирај! Реагирај!“ на Институтот за комуникациски студии.
Сторијата е првично објавена ТУКА.