1111delja-e-zez-n-komunikacionit-800x445.jpg

Biçikletat edhe pse vazhdimisht po përdoren si mjete transporti në Shkup, ata ende nuk e kanë hapësirën e mjaftueshme për lëvizje. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut pavarësisht se tenton ti përshtatet trendëve botërore me ndërtimin e shtigjeve për biçikleta, deri më tani e ka humbur luftën me veturat dhe automjetet tjera që shpeshherë i uzurpojnë hapësirat për çiklistë

Omer XHAFERI

Shkup, 26 mars – Kur janë në trotuar, i shajnë qytetarët. Kur zbresin në asfalt, i ofendojnë shoferët. Kjo është përditshmëria e një pjesë të banorëve të Çairit, të cilët e shfrytëzojnë biçikletën si mjet transporti. Në mungesë të shtigjeve për biçikleta, ata shpeshherë detyrohen ti pranojnë reagimet dhe vërejtjet e bashkëqytetarëve të tyre.
Filloreta Ademaj, e cila jeton në Fushë Tophane në Shkup, për gazetën KOHA thotë se një pjesë bukur të mirë të sfidave me të cilët ballafaqohet ajo dhe shokët e saj, e kanë edhe institucionet, në këtë rast Qyteti i Shkupit.
“Aspak nuk jam e kënaqur nga infrastruktura për biçikleta. Një mendim të tillë e ndajnë edhe kolegët tjetër që biçikletën e përdorin si mjet transporti për punë, për shëtitje apo për rekreacion. Jetoj në Komunën e Çairit. Për fat të keq, këndej nuk ka shtigje të përshtatshme për biçikleta. Paraprakisht është ndërtuar një korsi në lagjen Shkup-Veri. Por bëhet fjalë për një destinacion tepër të shkurt, që nuk na kryen punë fare. Megjithatë, edhe kjo pjesë e vogël shpeshherë është e bllokuar nga automjetet”, thotë Filloreta.

KULTURA E ULËT NË KOMUNIKACION
Derisa mungojnë shtigjet e standardizuara për biçikleta, edhe siguria në komunikacion është e rrezikuar. Kështu vlerëson gazetari Bekim Laçi, i cili shton se dy herë ka qenë dëshmitar kur çiklistët kanë pësuar në rrugët e Çairit.
“Njëri prej rasteve ndodhi në rrugën Xhon Kenedi, në afërsi të shkollës së mesme ‘Cvetan Dimov’ dhe tjetri në afërsi të urës së Bit Pazarit. Të njëjta i kam dokumentar me fotografi dhe xhiruar me celular. Më pas i kam postuar në profilin tim në Fejsbuk. Këto informacione munden ti vërtetojnë edhe nga policia. Për këtë arsye, apelojmë se shtigjet për biçikleta janë siguri për neve dhe njëkohësisht jetë”, shton Laçi.

Kultura e ulët në komunikacion dhe trafiku i ngarkuar nëpër rrugët e Shkupit, nuk paraqet problem që Dimitrije Aleksov, esnaf i Çarshisë së Shkupit, për më tepër se 70 vite ti ndahet biçikletës. “Dikush na jep përparësi kur e ngasim biçikletën, e dikush jo. Varësisht prej njerëzve. Dikur, kur mësonim ne, kultura e përgjithshme në qytetet, përfshi edhe atë në komunikacion, ishte ndryshe. Shoferët kishin sjellje tjetër. Tash shpesh ndodh që njerëzit të vrapojnë në mes të rrugës. Nuk dëshirojnë të presin askund. Jeta sot është dinamike. Nga shtëpia ime në mëhallën e Muhaxhirëve e deri në Çarshi ka më tepër se një kilometër. Në disa rrugë ka shtigje, në disa jo. Janë humbur. Nëse ka shtigje më të mira, më shumë njerëz do ti shfrytëzonin biçikletat”, thotë plaku 90 vjeçar, Dimitrije.
Grupi më i njohur që angazhohet për plotësimin e të drejtave të çiklistëve në Shkup, pa dyshim është ai “Na toçak” (Në biçikletë). Ndonëse nuk janë të regjistruar si shoqatë, ky grup joformal që përbëhet nga aktivistë të ndryshëm qytetarë, duke filluar nga arkitektë, urbanistë, gazetarë e juristë, aktivisht merr pjesë në përpilimin e politikave të Qyteti të Shkupit për ndryshimin e infrastrukturës për biçikleta në kryeqytet.

Përfaqësuesja e këtij grupi, arkitektja Snezhana Domazetovska, kur e komenton çështjen e çiklistëve në vendin tonë, pranon se pjesa Veriore e Shkupit nuk disponon me shtigje për biçikleta, ashtu siç është rasti në pjesët tjera të qytetit.
“Shtigjet për biçikleta janë në gjendje më të mirë se sa kanë qenë para fillimit të projektit ‘Shkupi Velo Qytet’. Mirëpo, shtigje nuk mund të hasen gjithandej. Ndërtimi i tyre është bërë vetëm në bulevardet kryesore. Por, siç është rasti me lagjen e Kisella Vodës në Jug të Shkupit, apo pjesën e Çairit dhe Butelit në Veri, nuk ka. As edhe në rrugët kryesore dhe as në ato anësore. Kuptohet se gjithkund nuk mund të ngritën shtigje për biçikleta, nuk e lejon hapësira. Mirëpo në ato vend ku mungojnë këto shtigje, në një farë mënyre duhet të stabilizohet komunikacioni, qoftë me ngritjen e rrugëve apo ngushtimin e rrugëve për automjete, respektivisht krijimin e hapësirave të sigurta për biçikleta”, thotë për KOHA, Domazetovska.

Nga shoqata joqeveritare “Shëndeti para profitit”, e cila merret me problemet e përditshme urbane të qytetarëve, theksojnë se Shkupi, për dallim nga qytet tjera përreth dhe kryeqitetet në rajon, e ka vendndodhjen më të mirë që çiklistët dhe shoferët e automjeteve të jenë të barabartë në komunikacion. Jana Belçeva, aktiviste shumëvjeçare e shoqatës “Shëndeti para profitit”, thotë se është koha të vendoset rend në komunikacion, gjegjësisht shtigjet për biçikleta, të njëjtat të lirohen për lëvizje dhe në këtë mënyrë të krijohet hapësirë për mjetet jo të motorizuara, siç janë trotinetet dhe biçikletat.
“Mendoj se në Shkup duhet të përmirësohet kultura në komunikacion. Por, duhet të përmirësohet edhe puna e policisë rrugore sa i përket shqiptimit të gjobave për kaosin në rrugë. Në botë ekzistojnë disa kategori për çiklizëm të sigurt dhe kështu janë nivelizuar (kategorizuar) shtigjet për biçikleta në pesë grupe. Kësisoj, kategoria më e sigurt e shtigjeve është ajo kur prindër nuk ndjejnë frikë për sigurinë e fëmijëve. Organet përkatëse nuk duhet të tolerojnë uzurpimin e këtyre shtigjeve”, tha Belçeva.
Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu, ndërkohë deklaron qasja e ish-administratës së qytetit, përfshi edhe politikën në nivel qendror, fatkeqësisht automjeteve u ka mundësuar një komoditet më të lartë, në krahasim me pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.
“Kjo rezulton me kaosin e madh që mbizotëron në rrugët e Shkupit. Tash kemi ardhur me një pikë ku për dallim nga këmbësorët dhe çiklistët, një veturë ka privilegjin më të madh në komunikacion. Ky problem fatkeqësisht ekziston. Ne si administratë kemi ndërmarrë disa masa, siç janë vendosja e shtylla për ndarjen fizike të trotuareve dhe shtigjeve për biçikleta. Mirëpo, ende nuk mund të arrijmë te pika që të gjithë duam ta shohim ku do të ketë trotuare dhe shtigje të lira”, thotë Salihu.

MBI 140 ÇIKLISTË NË 2018 JANË AKSIDENTUAR
Të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup tregojnë se brenda vitit 2018, janë shkaktuar gjithsej 147 aksidente ku pjesëmarrës kanë qenë edhe çiklistë, apo 19 kanë përfunduar me lëndime të renda trupore, ndërsa 128 të tjerë janë lënduar lehtë. Këtë vit, konkretisht vetëm në janar dhe shkurt, thonë nga policia e Shkupit, janë shkaktuar 11 aksidente.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”)