“Vetë statusi që e ka deponia e Strugës si deponi e egër, është i mjaftueshëm për mbylljen e saj. U helmuam me këtë deponi. Nuk e di se si do ta zgjidhin këtë, nëse mund të zgjidhet fare”, thonë qytetarët struganë për Press Online, duke kërkuar zgjidhje për deponinë e egër që ndodhet në hyrje të këtij qyteti turistik.

Mimoza MUSTAFAI

Në qytetin e Strugës ka disa deponi të egëra në të cilat hidhen mbeturina nga më të ndryshmet, pa asnjë kontroll e standart, edhe atë në fshatrat Llabunishtë, Dollogozhdë që llogariten si më të mëdha dhe ajo në hyrje të qytetit të Strugës, alarmojnë eko-aktvistët.

“Në hyrje të qytetit të Strugës ndodhet deponia e egër më e madhe. Në të hidhen mbetje organike, jo-organike, medicinale etj. Është 500 metra e gjatë, 300 metra e gjërë dhe rreth 13 metra mbi tokë. Në të ka me miliona metra kub mbeturina të grumbulluara 15 vitet e fundit nga kur ekziston. U ngritë në vitin 2006 nga Komuna e Strugës si deponi e përkohshme, por mbeti aty si deponi e përhershme. Gjendet larg nga qyteti vetëm 200 metra në vijë ajrore, në afërsi të Stacionit të autobusëve. Nga 2006 e deri në prill të 2017, e njëjta ishte ndezur disa herë por lehtësisht e futur ne kontroll. Në prill të 2017 dhe në fund të muajit gusht të vitit 2017 ajo shpërtheu pa ndërprerje deri sa përsipër zgjidhjen e saj e mori Qeveria dhe kryeministri Zaev. Ai premtoi se kjo çështje do të zgjidhet edhe atë shpejt duke ndar fillimisht 200.000 euro për komunën që të ndërtohet një inpjant grumbullimi aty dhe transportimi të mbetjeve në deponinë rajonale “Drislla” në Shkup. Paratë i mori Komuna e Strugës ndërtoi nje pikë grumbullimi por asnjëherë nuk i dërgoi mbeturinat në deponinë “Drislla”. Është turp për Strugën si qytet i poezisë dhe turistik të ketë një deponi të tillë në hyrje të qytetit”, thonë për Press Online, nga Lëvizja Qytetare “Struganët për Strugën”.

Nga “Struganët për Strugën” shprehen se zgjidhja e vetme e këtij problemi është dislokimi përfundimtar i kësaj deponie të egër, pasi që paraqet rrezik për shëndetin e struganëve, dhe ajo mbetje aty ndotë sipërfaqen dhe ujin, por jo vetëm paraqet edhe rrezik potencial për shpërthimin e zjarrit në periudhat në vijim.

“Shpresojmë që ky sezon turistik të jetë i qet dhe pa zjarre, por në vitet e ardhëshme kjo situatë nuk mund të mbahet në kontroll, pasi që kjo deponi e egër nga dita në ditë po bëhet më e madhe”, theksojnë nga Lëvizja Qytetare “Struganët për Strugën”.

Ndërkohë, Gligor Qatoski nga nisma qytetare “Mjaft”, thotë se deponia vazhdon të jetë në vendin e njëjtë edhe përkundër premtimeve për zgjidhje.

“Asgjë nuk është realizuar nga premtimet. Mbeturinat vazhdojnë të hidhen pa kontroll. Edhe pse u premtua se mbeturinat do transportohen në deponinë rajonale “Drislla” në Shkup, deri më tani asnjë kamion nuk ka bartë mbeturina atje. Në këtë situatë ekziston rreiku që gjatë verës e njëjta të ndizet dhe të shkatrojë dëme të mëdha për turizmin, por jo vetëm edhe për shëndetin e Struganëve”, deklaroi për Press Online, Qatoski.

Përderisa institucionet heshtin përballë problemit gjithnjë e më serioz me të cilin ballafaqohet Struga, qytetarët kërkojnë dislokimin e kësaj deponie të egër nga hyrja e qytetit.

“Vetë statusi që e ka deponia e Strugës si deponi e egër, është i mjaftueshëm për mbylljen e saj, pa dallim nëse ne kemi gjetur zgjidhje, sepse ajo paraqet rrezik edhe për shëndetin e njerëzve edhe për mjedisin, pasi gjendet në qendrën e komunës”, u shpreh Kujtesa një qytetare strugane.

“Unë më nuk besoj në asgjë. U helmuam me këtë deponi. Nuk e di se si do ta zgjidhin këtë, nëse mund të zgjidhet fare”, thotë Angela, studente.

Momenti më i rëndësishëm nga i cili do të varet se si në të ardhmen do të zgjidhet grumbullimi dhe trajtimi i mbeturinave komunale nga Struga dhe rrethina, mbetet çështja e hapur për ndërtimin eventual të deponisë rajonale. Ajo është planifikuar të ndërtohet në komunën fqinje Debarcë, por autoritetet e atjeshme lokale paralajmërojnë se nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

Me këtë storie Press Online i bashkangjitet fushatës me interes publik për mjedis më të mirë “Mos injoro! Reago!” të Institutit për Studime të Komunikimit dhe mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup. Текстот е првично објавен ТУКА.