fb_img_1571480984480.jpg

Praktika e hedhjes së bërllokut në çdo kohë dhe aq sa duam duhet të marrë fund. Kujdesi ndaj një ambienti të pastër buron nga amvisëritë e qytetarëve. Shoqatat ekologjike vlerësojnë se këtyre proceseve duhet t’ju prinë komunat. Përpos shqiptimit të gjobave, ata propozojnë që për një periudhe të caktuar, deri sa të përmirësohet vetëdija e qytetarëve të zbatohen edhe masat e shpërblimit ndaj atyre që bëjnë selektimin e mbeturinave.

Omer XHAFERI

Shkup, 17 tetor – Bërlloku në lagjet urbane të Shkupit më tepër përfundon jashtë kontejnerëve se sa brenda tyre. Përpos mbeturinave të rëndomta, fatkeqësisht nëpër shumë vende publike në kryeqytet vazhdojnë të hidhen mbetje inerte dhe mobilie të vjetra. Aktivisti ekologjik nga Shoqata jo qeveritare “Go Green”, Antonio Jovanovski, për gazetën KOHA, tha se është koha që në këtë drejtim të bëjmë një hap para dhe të vendoset një sistem për selektimin e bërllokut që nga amvisëritë tona, ndryshe thënë selektimi primar. Sipas tij autoritet komunale në vendin tonë duhet të ndajnë qese (nuk duhet as shporta) me ngjyra të ndryshme dhe në këtë mënyrë të caktohen ditët për grumbullimin e çdo bërlloku veç e veç.

GJOBAT NË FUNKSION TË VETËDIJESIMIT

“Kur nuk do të bëhet selektim i duhur i mbeturinave duhet të vendosen gjobat. Ky proces mund të kontrollohet më tepër, se sa praktika aktuale e kontejnerëve publik dhe hedhjes së mbeturina në çdo kohë dhe aq sa duam vet. Vështirë është të vendoset rend kur kontejnerët janë për të gjithë, dhe kështu qytetarët nuk kujdesen, aq më pak mendojnë se sa bërllok hedhin. Me vendosjen e selektimit primar, çdonjëri do të filloj të kujdesit sa bërllok krijon. Për arsye se një qesë do të ketë një çmim, dy qese tjetër çmim. Qëllimi është të kujdesemi sa mbeturina krijojmë, me tendencë të zvogëlimit. Metodë tjetër e zgjidhjes së këtij problemi është vendosja e taksës komunale për metër kub apo për kilogram të bërllokut, në vend të metrave katror siç është tani. Në këtë mënyrë të gjithë do të kujdesemi sa bërllok bëjmë”, tha Jovanovski.

Ngritja e vetëdijes qytetarë për selektimin dhe hedhjen e bërllokut, me këtë edhe mirëmbajtjen e ambientit të pastër duhet të bëhet me vendosjen e një sistemi të gjobave dhe shpërblimeve. Kjo detyrë sipas aktivistëve ekologjik ju takon komunave. Analizat e realizuar nga sektori civil po ashtu kanë konstatuar se kujdes të madh për mbledhjen e bërllokut duhet të t’ju kushtohet edhe mbledhësve jo formal të mbeturinave, të cilat praktikisht edhe jetojnë grumbullimi i plastikëve, kënaçeve, letrës e kështu me radhë.

“Kapacitet për sanksionim janë në nivel minimal. Kur sistemi është jo i organizuar, shumë është rëndë të vendoset një sistem rigoroz i gjobave. Doemos të ofrohet shërbim kualitativ, për të vendosur edhe gjoba të rregullta. Sistemi i kontejnerëve publik, siç u vendosën së fundmi nga Qyteti i Shkupit është i rëndë për t’u kontrolluar dhe nevojitet mbikëqyrje 24/7 për t’i sanksionuar qytetarët të cilat pa vetëdije e hedhin bërllokun. Patjetër të vendoset selektim primar dhe në këtë mënyrë do të kemi devijime (do të hidhet bërlloku të shporta e fqinjit), megjithatë bëhet fjalë për një proces më të koncentruar për të kontrolluar, respektivisht sistem më efikas për shqiptimin e gjobave (shpërblimeve)”, shtoi Jovanovski.

MASA STIMULUESE PËR PUNË TË DOBISHME

Për dallim nga Jovanovski, rreth çështjes së gjobave, mendim të ndryshëm ka Irena Ristiç, nga Nisma qytetare “Bërllok mos u bë”, e cila thotë se ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm duhet të shqiptohet gjoba të larta në të holla. Krahas kësaj mase ajo thotë se ndaj tyre duhet të shqiptohen edhe masa stimuluese për punë të dobishme shoqërore.

“Kjo duhet të zgjasë deri atëherë kur të shohim përmirësime të dukshme. Situata është alarmante, parregullsi e madhe dhe për këtë nevojiten masa drastike. Polici komunale dhe sigurim në të gjitha anët, të cilat do të punojnë 24/7. Kështu edhe do të mbushet buxheti dhe leksioni do të kuptohet. Nëpër shkolla, një të shtune në muaj ti përkushtohet ekologjisë dhe angazhimit në terren”, thotë Ristiç. Rreth çështjes së inspektorëve ajo thotë se është sekret publik se ata nuk e kryejnë punën e tyre siç duhet apo nuk shqiptojnë gjoba për arsye të ndryshme, të cilat të gjithë i dimë.

Ndryshe, hulumtimet e sektorit civil kanë konstatuar e bërlloku është burimi më i madh i gazrave serë në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat statistikore flasin se në vendin tonë ekzistojnë 54 deponi komunale të autorizuara, respektivisht mb 300 deponi të egra që duhet të mbyllen. Nga bërlloku ditor i grumbulluar në vend 75 për qind hidhet në deponi, gjegjësisht pjesa tjetër largohet me djegie dhe apo djegie të hapur.

AUTORITET ARSYETOHEN

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani, për gazetën KOHA, shprehet se në vazhdimësi punon dhe është i angazhuar në ngritjen e vetëdijes qytetarë për mënyrën e hedhjes së mbeturinave.

“Ne jemi të përkushtuar për krijimin e një dinamike, e cila do të bëhet praktikë që brenda javës një ditë do të jetë ditë ekologjike për të gjithë qytetarët e Shkupit. Paralelisht jemi duke punuar që t’i vetëdijesojmë qytetarët që bërllokun ta hedhin në orët e mbrëmjes, me të vetmin qëllim që brenda ditës enët për mbetje (kontejnerët) të jenë të pastër dhe kështu të krijohet një ambient më i pastër. Mirëpo, gjithçka varet prej anës së qytetarëve. Probleme më të mëdha në terren na shkaktojnë mbetjet të cilat hidhen jashtë kontejnerëve, dhe në vendet publike. Kjo sidomos ndodh gjatë orëve të natës”, tha Shabani. Sanksionet dhe gjobat siç shprehet drejtori Shabani, nuk janë kompetencë e tyre. Andaj ai thotë se këtë çështje duhet ta rregullojnë komunat me inspektorët e tyre, të cilat sipas tij deri më tani shumë pak dënime kanë shqiptuar.

Kryetari i Komunës së Butelit, e cila është pjesë përbërëse e Shkupit, Velimir Smilevski, arsyetohet se inspektorati i kësaj komune për çdo ditë shqipton gjoba, kur konstaton se ato hidhen në vende publike. Përveç gjobave, siç sqaron kryetari Smilevski, inspektorati në bashkëpunim me organet e rendit shqipton edhe kallëzime penale.

“Po ashtu janë konfiskuar edhe disa kamionë. Pra, aty ku mbërim ne shqiptojmë gjoba. Tash ne nuk kemi ndonjë shërbim i cili 24/7 është aktive. Por, së fundmi kemi formuar një shërbim të ri, dhe ai në këto gjashtë muajt e fundit funksionon mirë, në dy ndërrime. Megjithatë, ne pranojmë informacione të ndryshme se në deponitë përreth hidhen mbeturina edhe pas mesnate. Shpresoj se me policinë komunale e cila duhet të formohet së shpejti kjo problematikë do të marrë fund”, thotë Smilevski.

Në kuadër të gjobave që i shqipton Komuna e Butelit, ka edhe sanksione edhe për ata qytetar të cilët e hedhin bërllokun jashtë kontejnerëve. Autoritet e kësaj komune, mes tjerash njoftojnë se ballafaqohen me mungesë të kontejnerëve.

Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”, i realizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit dhe i mbështetur nga Ambasada e Britanisë Madhe në Shkup. Текстот е првично објавен ТУКА.