1111fabrikat-e-oksigjenit-mungojn-n-qytet-800x445.jpg

Përderisa periferitë e qyteteve dhe fshatrat ndërmarrin iniciativa të ndryshme për krijimin e një rrethinë më të shëndetshme, situata nëpër lagjet urbane po thuajse në çdo qytet të Maqedonisë së Veriut është e mjerueshme. E tillë është edhe në Shkup. Ekspansioni i ndërtimeve dekadën e fundit, sipas të dhënave të sektorit civil, ka ndikuar që në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut më tepër të dominoj betoni se sa gjelbërimi

Omer XHAFERI

Shkup, 20 maj – Pyjet e pasura dhe fushat e gjelbërta nuk ishin arsye që banorët e fshatit Poroj të qëndrojnë më duarkryq në sfidën e tyre për kujdesin ndaj ambientit dhe mjedisit jetësor. Gjatë javëve të kaluara, me vetiniciativë, rinia e këtij fshati rregulloi dhe pastroi një hapësirë të konsiderueshme, e cila e lidh magjistralen Tetovë-Jazhincë. Mbjellja e fidanëve dhe ngritja e parqeve të reja ishte aktiviteti kryesore i realizuara nga banorët e këtij fshati.

“Mund të themi se nga hyrja e fshatit ku lidhemi me lagjen Drenovec e deri në anën tjetër ku lidhemi me fshatin Xhepçisht, përgjatë rrugës që lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës, në të dy anët e rrugës kemi mbjellë drunj. Gjithashtu, edhe në të dyja rrugët që shërbejnë si hyrje-dalje në fshat nga rruga rajonale. Po ashtu, gjatë këtij aksioni kemi mbjellë fidanë edhe brenda fshatit. Ideja jonë është që çdo hapësirë publike e boshatisur të rregullohet dhe gjelbërohet”, thotë për gazetën KOHA, Besmir Zendeli, aktivist i fshatit Poroj.

Krahas këtyre aktiviteteve, Bashkësia Lokale e fshatit Poroj angazhimet e tyre për mbrojtjen e të mirës publike dhe përmirësimit të kualitetit të jetesës, mendojnë ti zgjerojnë me zgjidhjen e problemit të kanalizimit dhe derdhjes së ujërave të zeza.

BETONI VAZHDON TË DOMINOJ

Përderisa periferitë e qyteteve dhe fshatrat ndërmarrin iniciativa të ndryshme për krijimin e një rrethinë më të shëndetshme, situata nëpër lagjet urbane po thuajse në çdo qytet të Maqedonisë së Veriut është e mjerueshme. E tillë është edhe në Shkup. Ekspansioni i ndërtimeve dekadën e fundit, sipas të dhënave të sektorit civil, ka ndikuar që në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut më tepër të dominoj betoni se sa gjelbërimi.

“Ndërtimet në kryeqytet gati se e kanë uzurpuar plotësisht hapësirën e gjelbërt. Kjo situatë ekziston edhe në ato pjesë, ku sipas Planeve Gjenerale dhe Detale Urbanistike, duhet të ketë mjedise të gjelbërta, por në fakt janë shndërruar në kantier të betonizuara. Nevojitet intensifikim i punës së Kadastrës së Gjelbërt, të cilën Qyteti i Shkupit filloi ta bëjë. Në kryeqytet, për momentin ekzistojnë vetëm 5 për qind hapësirë e gjelbër nga gjithsej 20 për qind sa duhej të ishte”, thotë Natasha Apostollovska nga organizata jo qeveritare “Instituti i Gjelbërt”.

Parqet dhe hapësirat e gjelbërta, ndryshe të njohura mes popullit si “Fabrikat e oksigjenit”, në Shkup më tepër kanë pësuar gjatë ndërtimit të projektit famëkeq “Shkupi 2014”.

Institucionet lokale, siç është rasti me Ndërmarrjen Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, e pranojnë faktin se gjatë viteve të kaluara, në Shkup më tepër i është dhënë prioritet betonit se sa gjelbërimit. Drejtori i NP “Parqet dhe Gjelbërime”, Ardijan Muça për gazetën KOHA, thotë se ai dhe administrata e tij janë tepër të përkushtuar që Shkupin ta shndërrojnë në një qytet të gjelbër. Mes tjerash, ai shton se gjatë vitit 2018, në kryeqytet janë mbjellur (ngritur mbi 120 mijë m2 gjelbërim) dyfishë më tepër hapësira të gjelbërta sesa në vitin 2017 (65 mijë m2 hapësira të gjelbërta).

“Përveç hapësirave të reja të gjelbërimit, në të njëjtën kohë jemi mobilizuar që të gjithë drunjtë e sëmurë dhe të vjetër ti zëvendësojmë me mbjelljen drunjtëve të rinj. Vetëm në muajin mars-prill kemi mbjell 450 fidane të reja. Pra, ne punojmë për një qytet të gjelbërt, për një qytet me ajër të pastër, me peizazhe të gjelbërt dhe rini të edukuar për ekologji dhe gjelbërim në mënyrë që të kemi një ardhmëri të shëndosh për të gjithë”, thotë Muça. Parku më i ri i cili pritet së shpejti të hapen në Shkup, është ai mes sheshit “Skënderbeu” dhe Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, i cila zë një hapësirë prej 11 mijë m2 gjelbërim.

Ivana Dragsiç nga organizata “Plloshtat Slloboda”, i vërteton pohimet se gjatë periudhës së fundit në Shkup janë ndërtuar disa parqe (hapësira të gjelbërta). Megjithatë, ajo shton se institucionet nuk kanë ndonjë ide për politikë publike dhe strategji me të cilën do të mundësojnë zhvendosje serioze nga situata ku jemi. “Nuk e di sa janë të mëdha këto parqe, por garantoj se askush nuk e di se çfarë ndikimi do të kenë ata mbi kualitetin e ajrit në Shkup, për arsye se ato janë intervenime, incidente, pjesë të fushatave, dhe jo të strategjisë, politikës dhe rregullave sipas të cilave veprojnë institucionet publike”, thotë Dragsiç.

VODNO DHE GAZI BABA NUK MIRËMBAHEN MJAFTUESHËM

Me ndërtimin e objekteve në qendër të Shkupit, por edhe më gjerë, vazhdon shkatërrimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbërta. Profesori i Fakultetit të Pylltarisë në Shkup, Kirill Sotirovski, në prononcimin e tij për gazetën KOHA, thotë se Parku i Qytetit dhe Mali i Vodnos dhe ai i Gazi Babës janë në shënjestër të aktiviteteve të mëdha ndërtimore. Duke u përgjigjur në pyetjen nëse institucionet lokale duhet të rrënojnë apo ridedikojnë objekte, dhe në vend të tyre të ndërtojnë hapësira të reja gjelbërimi, profesori Sotirovski përgjigjet shkurt: “duhet ta pranojmë realiteti e hidhur se ajo nuk do të ndodhë”. Sipas tij, me shkatërrimin e parqeve në Shkup është humbur kualiteti i jetesës, me këtë edhe shpirti i qytetit.

“Pra, shikoni se sa kohë nuk mund të largohet ‘ura’, e cila duheshe ta mbajnë ‘Rrotën Panoramike’ e vendosur mbi lumin Vardar në qendër të qytetit. Dmth, bëhet fjalë për objekt pa funksion i cili as deri në gjysmë nuk është ndërtuar dhe disa vite me radhë qëndron ashtu! Kur me këtë objekt ekzistojnë implikime administrative dhe financiare për t’u rrënuar, atëherë çka mbetet me llojet e tjera të objekteve, siç janë ndërtesat, qofshin ato komerciale, administrative apo për banim. Fatkeqësisht, Shkupi shkoi në ekstremin tjetër”, thotë profesori Sotirovski.

Ndryshe, të dhënat shkencore nga fusha e ekologjisë flasin se një dru lëshon oksigjen për katër persona. Për këto arsye aktivistët alarmojnë që paralelisht me mbjelljen e fidanëve të reja, organet shtetëror ti kushtojnë rëndësi ruajtjes dhe kultivimit të drunjtëve ekzistues.

Со овој текст, Коха се приклучува кон кампањата за подобра животна средина „Не игнорирај! Реагирај!“ на Институтот за комуникациски студии. Текстот е првично објавен ТУКА.