Për zvarritje e deritanishme të procesit të ndërrimit të sistemit të ngrohjes në Gjinekologjinë e Çairit, nuk ka përgjigje të saktë as zëvendës ministri i Shëndetësie, Asim Musa. Ai për gazetën KOHA, tha se të gjitha procedurat kanë përfunduar, përzgjedhja e kandidatit është bë dhe se të gjitha dokumentet janë në tavolinën e ministrit
Omer XHAFERI
Shkup, 8 shtator – Spitali Gjinekologjik i Çairit ende nuk është furnizuar me sistem të ri të ngrohjes. Oxhaqet e këtij institucioni shëndetësor sipas gjitha gjasave edhe këtë sezon të dimrit do t’i ndotin banorët e lagjes Serave dhe më gjerë. Shefi i Inspektorati i Qyteti të Shkupit, Mirosllav Bogdanovski, duke folur për gazetën KOHA, tha se nëse përsëritet e njëjtat situatë si vitin e kaluar, atëherë ne do të veprojmë sipas Ligjit, me shqiptimin e gjobave dhe gjithashtu mund të ndodh që Inspektorati i të shqiptojë ndalesë për punë.
“Drejtori tha se sistemi i ngrohjes do të kyçet në instalimin e ujit të ngrohët që gjendet 100 larg Spitalit Gjinekologjik të Çairit. Ligje vlejnë për të gjithë. Tash ne nuk do të shohim se bëhet fjalë për spital, apo diçka tjetër. Çdonjëri i cili nuk i është përmbajtur ligjit do të sanksionohet”, tha Bogdanovski.
BANORËT TË BRENGOSUR
Përveç banorëve të Shkupit, më të brengosur nga fakti se edhe këtë sezon dimri oxhaqet e Gjinekologjisë në Çair, do të nxjerrin tym të zi, janë banorët që jetojnë përreth spitalit. Gazetari, Enis Murtezi, i cili jeton në afërsi të Spitalit të Çairit, tha se kjo çështje është dashur të rregullohet me kohë. Ngase siç u shpreh ai mbi gjitha në afërsi të Gjinekologjisë së Çairit, gjendet Shkolla Fillore “Adem Jashari”, shkollë kjo që ka një numër të madh të filloristëve, e që janë të detyruar të thithin ajër të ndotur.
“Institucionet është dashur të ndërmarrin masa që këtë çështje ta zgjidhin sa më parë, dhe të mos lejojnë që edhe një vit të kalojë nën mëshirën e fatit dhe lutjeve që kushtet klimatike të jenë të përshtatshme dhe niveli i ndotjes të mos arrij në përmasa alarmante. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për jetë, për diçka të shenjtë, dhe ata që kanë marrë përgjegjësi të udhëheqin me institucionet, qoftë ato të nivelit qendror apo lokal, duhet ta dinë se kanë përgjegjësi të mëdha. Postet nuk janë vetëm privilegje por edhe detyrime”, tha Murtezi.
Që të jetë absurdi më i madh, ende dominon tema e tymit të oxhakut, në vend të lindjeve që bëhen në këtë spital.
INSTITUCIONET PËRBALLËN NJËRA ME TJETRIN
Zëdhënësi i Gjinekologjisë së Çairit, Ilir Shurlani, duke i folur për çështjen e oxhaqeve dhe sistemit të ngrohjes në atë spital, tha se nëse Ministria e Shëndetësisë nuk e rregullon problemin, ata ato do të ngrohen me mazut edhe gjatë këtij dimri.“Kërkoni përgjigje prej ministrisë, ata e kanë shpallur tenderin. Ku ka mbet puna nuk e di. Ne përgatitjet për dimrit i kemi bërë me ato kushte të cilat i kemi pasur. Gjatë verës ne e kemi siguruar çilerin (sistem) për ngrohjen ujit. Pra, sistemin e vjetër gjatë periudhës së kaluar nuk e kemi ndezur fare, vetëm me çilera jemi shërbyer. Atë e kemi donacion deri sa të zgjidhjet problemi. Mandej do ua kthejmë njerëzve që e kanë donuar.Kur të vjen dimri duhet më u kyç në kaldajat njëjta si kanë qenë. Pra, ne kemi informacione se tenderi është shpallur, dhe aq. Nëse nuk ka zgjidhje ne patjetër që do ta shfrytëzojmë sistemin e vjetër për ngrohje”, tha Shurlani.
Për zvarritje e deritanishme të procesit të ndërrimit të sistemit të ngrohjes në Gjinekologjinë e Çairit, nuk ka përgjigje të saktë as zëvendës ministri i Shëndetësie, Asim Musa. Ai për gazetën KOHA, tha se të gjitha procedurat kanë përfunduar, përzgjedhja e kandidatit është bë dhe se të gjitha dokumentet janë në tavolinën e ministrit. “Ai duhet të nënshkruaj. Kështu si shkon puna vështirë se do të kemi sistemi të ri të ngrohjes në Spitalin Gjinekologjik në Çair. Unë punën time e kam përfunduar. Tutje nuk çfarë t’ju them. Nuk di cilat janë arsyet pse nuk e nënshkruan. I gjithë dokumentacioni prej në muajin qershor është gati. Në tender pati dy oferta. Njëra u eliminua për shkak të konfliktit të interesave dhe kjo tjetra mbeti në tavolinë. Për gjëra që mund të kalohen shumë lehtë, presim me muaj të tërë”, tha Musa.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filpçe, duke folur rreth kësaj çështje u shpreh skeptike për një zgjidhje të shpejtë. Ndërkohë, mos realizimin e premtimeve të dhëna në shkurtë të këtij viti i arsyetoi me lejet paraprake që është dashur të merren nga autoritet komunale. “Vendimi është miratuar dhe mbetet nënshkrimi i marrëveshjes. Nuk di se vallë do të arrijmë të realizojmë për këtë vit. Njëherë e anuluam tenderin për shkak disa lejeve nga komuna, kjo pak na e zvarriti punën dhe tash përfunduam me gjithçka. Procedura e tenderit ka përfunduar. Mbetet vetëm nënshkrimi i marrëveshjes. Ne do të fillojmë me realizimin, por sa do të jetë dinamika e punimeve unë nuk mund të parashikoj”, tha Filipçe.
Ndryshe, kryeqendra e Maqedonisë së Veriut, Shkupit viteve të kaluar është renditur në maje të qyteteve me ajrin më të lartë të ndotur. Reagimet dhe vërejtjet e qytetarëve autoritet shtetërore fare pak i kanë marrë parasysh. Subvencionimi i inverter kondencionerëve nga ana e Qytetit të Shkupit është prej masave më të njohura që e kanë ndërmarrë autoritet lokale në luftën drejtë zvogëlimit të ajrit të ndotur dhe parandalimit të ndryshimeve klimatike në vend.
(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”, i realizuar nga Instituti për Studime Elektronike dhe i mbështetur nga Ambasada e Britanisë Madhe në Shkup)
Текстот е првично објавен ТУКА.