Jeta-ne-berllok-800x445.jpg

Sipas të dhënave zyrtare, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 54 deponi komunale, jo të standardizuara dhe rreth 400 mini-deponi të egra. Organizatat joqeveritare alarmojnë që numri i mini-deponive të egra në vendin tonë arrin deri në 1 mijë

Omer XHAFERI

Shkup, 12 mars – I ngujuar mes dy deponive të egra, vetëm disa kilometra larg Shkupit, gjendet fshati Orllancë, pjesë e Komunës së Haraçinës. Për gati 20 vite, mbi 1 mijë banorë të këtij fshati dhe qindra tjerë të fshatrave përreth, përfshi edhe ato të Komunës së Likovës, vuajnë nga bërlloku i cili hidhet në deponitë e egra në Grushinë dhe Nikushtak. Në prononcimin e tyre për gazetën KOHA, banorët e kësaj ane shprehen se jeta nën bërllok është e padurueshme.
Duke synuar zgjidhjen e problemit, gjatë viteve të kaluara banorët e fshatit Orllancë, disa herë e kanë bllokuar rrugën e vjetër Shkup-Kumanovë, megjithatë institucionet relevante deri më tani aspak nuk i kanë përfillur kërkesat e tyre.
“Kemi dërguar ankesa, si në Komunën e Haraçinës, ashtu edhe në atë të Likovës. Të dyja këto komuna ia hedhin fajin njëra- tjetrës. Deri te organet qeveritare nuk kemi qasje. Kontakt me ato kemi vetëm kur është koha e zgjedhjeve dhe votave. Ankesën e fundit për ta shqyrtuar këtë hall tonin e kemi dërguar në mars të vitit të kaluar. Por ende s’ka përgjigje. Fatkeqësisht s’ka kush i dëgjon vërejtjet dhe kërkesat tona. Jemi të vetëdijshëm se lutjet tona hidhen në ndonjë qosh të zyre dhe aspak nuk merren parasysh”, thotë një banor i fshatit Orllancë.

“KANCER” EDHE PËR BAGËTITË

Iniciativat e ndryshme për dislokimin e deponive të egra në këtë anë të Shkupit, shpeshherë kanë dështuar. Banorët e fshatit Orllancë, ankohen se problem kryesor ju paraqet deponia në fshatin Nikushtak, duke mos e anashkaluar edhe atë në Grushinë. Mungesa e gjobave dhe sanksioneve ndaj atyre që hedhin mbeturinat mendohet të jetë njëra prej arsyeve kryesore sepse ekziston ky kaos ekologjik.
“Kur ndizet deponia e Nikushtakut, era e bie mbi fshatin tonë dhe e gjithë rrethina mbulohet me tym të zi. Pastaj kur është periudha e shirave, edhe atëherë kemi ballafaqohemi me problem, për shkak se uji mbeturinat na i sjell mbi katund”, shprehet një plak i këtij fshati.
Përveç dëmit të tokës dhe shëndetit të njerëzve, banorët e Orllancës shprehen se deponitë e egra paraqesin “kancer” edhe për bagëtitë e tyre. Si rezultat i mbeturinave të ndryshme që hidhen në këtë dy deponi, viteve të kaluara një pjese të fshatarëve ju kanë ngordhur edhe disa kafshë shtëpiake.
Megjithatë, krahas banorëve të kësaj ane, me problemet që burojnë nga deponitë e egra ballafaqohen edhe shumë qytete e rajone tjera në Maqedoninë e Veriut. Shoqatat e ndryshme ekologjike që merren me çështjet e higjienës dhe mbrojtjes së mjedisit jetësore, thonë se vetëdija shoqëror për bërllokun është në një shkallë tepër të ulët. Aksionet e ndryshme që i zhvillojnë ata kanë konstatuar se mbeturinat janë prezent një çdo vend.
“Maqedonia është e ndarë në tetë rajone, ku pritet të ndërtohen Deponitë rajonale. Me përjashtim të rajonit të Pollogut, për të gjitha rajonet tjera janë përgatitur dokumentacionet. Në një fazë më të avancuar që të ndërtohet një Deponi rajonale është rajoni Verilindor dhe Lindor, respektivisht në Komunën e Sveti Nikolës, në fshatin Meçkueski. Kjo deponi do ta përfshi edhe Komunën e Kumanovës dhe komunat tjera që janë pjesë e saj. Ndërkohe, edhe pse ballafaqohemi me problemin serioz me mbeturinat, ne kemi një sfidë me qytetarët. Keqkuptimi është se ata mendojnë se deponitë rajonale janë vende ku do të grumbullohet bërlloku dhe në këtë mënyrë do të ndotet mjedisi i tyre, që realisht nuk është kështu. Bëhet fjalë për qendra moderne, të standardizuara, në të cilat do të selektohet dhe reciklohet bërlloku në mënyrën më pedante”, thotë Antionio Jovanovski, nga Shoqata ekologjike “Go Green”.

RRETH 1 MIJË DEPONI TË EGRA

Sipas të dhënave zyrtare në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 54 deponi komunale, jo të standardizuara dhe rreth 400 mini-deponi të egra. Përderisa organizatat jo qeveriatare alarmojnë që numri i mini-deponive të egra në vendin tonë arrinë deri në 1 mijë.
Ministri i ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Sadullah Duraku, duke folur për çështjen e deponive të egra, për gazetën KOHA, deklaroi se Ligji për menaxhimin e mbeturiave, e obligon pushtetin lokal (komunat) që të bëjnë grumbullimin e bërllokut dhe mirëmbajtjen e higjienës publike.
“Komunat duhet të kujdesen për mbeturinat komunale, të krijuara nga ekonomitë familjare. Gjithashtu, nënkuptohet se ne si ministri nuk jemi kompetent për këto lloje të mbeturinave. Por, ne si ministri gjatë periudhës së kaluar kemi zhvilluar një sërë aktivitete për përgatitjen e dokumentacioneve për vendosjen e qasjes së integruar të mbeturinave. Strategjia e jonë është që në periudhën që vijon është të krijohet një sistem rajonal për menaxhimin e mbeturinave dhe pastrimin e deponive të egra. Në këtë strategji, Komuna e Likovës është paraparë të përfshihet në regjionin Verilindor. Përderisa ajo e Haraçinës duhet bërllokun ta dërgoj në deponinë e Drisllës. Pse nuk bëhet një gjë e tillë, duhet të kërkoni përgjigje nga kryetarja e Komunës së Haraçinës”, tha ministri Duraku.
Përpos pastrimin të kohëpaskohshëm dhe kujdesit që deponia në fshatin Grushinë mos të digjet, nga Komuna e Haraçinës, theksojnë se nuk kanë mundësi të bëjnë dicka më tepër.
“Kemi iniciativë nga Qeveria, e cila ka paraparë të ndërtoj Deponi rajonale për mbeturina, të cilat do ti menaxhojnë vetë. Bëhet fjalë për projekte, apo plane të cilat ne si komunë nuk kemi mundësi me resurset dhe financat e tyre ti bëjnë ballë këtyre aktiviteteve. Takim kemi pasur me mistrinë dhe qeverinë. Jemi në pritje të përgjigjes”, tha Irfan Limani, nga Komuna e Haraçinës.
Ngjashëm mendon edhe kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, i cili thotë se dispozitat ligjore nuk i lejojnë atij që të ndërmerr masa konrkete për disklokimin e deponisë se egër në Nikushtak.
“Plotësisht pajtohem se deponia në fshatin Nikushtak nuk është në një vend të qëlluar. Por, në planin zhvillimore të komunës tonë është paraparë që kjo deponi sadopak ti ketë kushet elementare, me qëllim që mos të ketë ndotje dhe në këtë mënyrë ti sigurojmë qytetarët tanë aq sa mundemi. Projekti është gati dhe pritet të kryhet sivjet. Janë ndarë 3.5 milionë denarë për zgjidhjen e përkohshme të problemit me deponinë në Nikushtak. Ndërsa, zgjidhja përfundimtare e kësja deponie pritet të bëhet pas ndërtimit të Deponisë rajonale në rajonin Verilindor, mes Kumanovës dhe Staro Nagoriçanit”, tha kryetari Arifi.
Nisma për ndërtimin e kësaj deponie është e vjetër dy vite. Nëpërmjet IPA-Fondeve, janë siguruar 36 milion euro. Pengesat e deritanishme siç ishin çështjet pronësore-juridike, reagimet e banorëve dhe problemet procedurale janë tejkaluar.
“Ka mbetur edhe një problem i vogël që duhet të tejkalohet. Rajoni Verilindor dhe Lindor duhet të krijojë një ndërmarrje publike, me një drejtori të përbashkët. Dhe, këtu ka pasur mospajtime mes kryetarëve komunale të Kumanovës dhe Sveti Nikoles, të cilat janë zgjidhur. Për dallim nga rajonet tjera, ndërtimi i kësaj deponie rajone është në një fazë shumë të avancuar”, tha ministri Duraku. Me përjashtim të deponisë Drislla në Shkup, e cila së fundmi ju dha me koncesion një kompanie Gjermane, në vendi tonë për momentin nuk ekziston asnjë deponi tjetër, e cila i përmbushë standardet ndërkombëtare.
Në mesi ne tetë deponvie rajonale që pritet të ndërtohen në Maqedoninë e Veriut, përfshihet edhe rajoni i Pollogut, i cili për vite me radhë renditet në vendet më të ndotur në vendin tonë, por edhe më gjerë. Nga Ministria e Ambientit Jetësor njoftojnë se për këtë rajon janë siguruar rreth 6 milionë euro nga Qeveria e Zvicrës, me çka pritet të zgjidhet problemi me mbeturinat në qytetin e Tetovë, Gostivarit e rrethinës.
“Neve na mbeten edhe katër rajone tjera, ku duhet të ndërtohen deponi rajonale (Jugperëndimore, Pellagonia, Vardari dhe Juglindor), për të cilat jemi duke i përgatitur dokumentacionet për dhënie me koncesion ose me partneritet publiko-privat”, potencoi ministri Duraku. Paralelisht me këto aktivitete nga Mistria në fjalë janë duke e përgatitur propozim Ligjin për higjienën publike, ku pritet të ketë ndryshime në gjobat dhe normat tjera për përmirësimin e mjedisit jetësor. Ndryshe, nga Shoqata ekologjike “Go Green” theksojnë se duhet të bëhet ndryshme më sistemin e pagesës së faturave mujore për bërllok, gjegjësisht metër katrori, sipas tyre duhet të zëvendësohet me metër kub.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”)