Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 54 deponi komunale të cilat nuk i plotësojnë standardet themelore, përveç deponis “Drislla” në Shkup, 35 % nga ata janë të një rrezikshmërie të lartë për shëndetin e qytetarëve, ndërsa sipas të dhënave të organizatave joqeveritare ka edhe rreth 2.000 deponi të egra në vend
Mimoza MUSTAFAI
Vetëdija e qytetarëve në raport me mbeturinat, por edhe lloje tjera të ndotjes së ambientit jetësor është në nivel shumë të ulët në krahasim me vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian (BE), vlerësojnë eko-aktivistët. Qytetarët nga ana tjetër, pajtohen se në shoqëri mungon kujdesi ndaj mbetjeve.
Mbeturina hidhen në hapësira të hapura, në shpatat e maleve apo në shtretërit e lumenjve. Këto fotografi mund të vërehen në qendër dhe rrethinën e Tetovës, por jo vetëm edhe në të gjithë qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut. Kjo gjendje theksohet në një numër të dokumenteve, si dhe bë planin për deponit që nuk i plotësojnë standardet, ku theksohet lloj lloj mbetje (industriale, mjekësore, ndërtimore dhe amvisrive) hidhet në deponi të improvizuara, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për deponi.
Një situatë të tillë ekipi ynë e ka regjistruar mu në qendër të qytetit të Tetovës, disa metra larg objektit të Komunës, madje disa nga të punësuarit aty parkojnë për çdo ditë makinat e tyre dhe shkojnë në punë. Ndonjëri nga ata mund të jetë edhe i punësuar në sektorin për veprimtari komunale që duhet të merret me largimin e këtyre deponive nga rruga, por me sa duket përveç vetëdijes së qytetarëve mungon edhe vullneti i pushtetit lokal për të vepruar dhe përballur me deponit e egra.
“Për fat të keq, nëse krahasohemi me vende tjera, për shembull Kroacia, ajo është shumë përpara me vetëdijesimi e qytetarëve, por edhe në investimin në infrastrukturë. Mund të thuhet se më parë ishte më keq, se ka dallim të dukshëm që para pesë apo gjashtë viteve. Por megjithatë mungesa e vetëdijes së qytetarëve dhe veprimi i duhur i institucioneve ka bërë që komunat urbane të ngjasojnë me ato rurale, madje në të shumtën e rasteve ato rurale janë më të rregulluara se ato urbane”, shprehet Ubejd Jashari, eko-aktivist.
Edhe qytetarët të cilët i anketuam shprehen se vetëdija e qytetarëve është në nivel shumë të ulët. Ata, duke folur për situatën në Tetovë, thonë se disa pjesë janë të pastra, ndërsa në disa pjesë ka një kaos të vërtetë nga mbeturinat.
“Vetëdija e ulët, për shkak të mungesës së kulturës”, thotë Fjolla.
“Nuk ka kujdes për këtë çështje, nuk ka vetëdije njerëzore, kjo është çështja më e tmerrshme, gjithkush hedhë mbeturina ku ti vjen për mbarë. Pushtetarët nuk janë të interesuar për këtë çështje, ata shohin vetëm për veten e tyre”, u shpreh Rasimi.
“Mbeturina hidhen edhe nga dritaret, për rreth hidhet ushqim për qentë dhe gjithçka është e ndotur. Gjendja është e tmerrshme”, tha Suzana një profesoresh nga Qyteti i Tetovës.
Në planin për mbylljen e deponive të egra në Maqedoninë e Veriut, gjendja me menaxhimin e mbetjeve të forta është përshkruar si jo efikase, me një sistem të brishtë organizativ dhe teknik, me efekte negative ndaj ambientit jetësor dhe shëndeti të qytetarëve.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 54 deponi komunale të cilat nuk i plotësojnë standardet themelore, përveç deponis “Drislla” në Shkup, 35 % nga ata janë të një rrezikshmërie të lartë për shëndetin e qytetarëve, ndërsa sipas të dhënave të organizatave joqeveritare ka edhe rreth 2.000 deponi të egra në vend.
Me këtë storie Press Online i bashkangjitet fushatës me interes publik për mjedis më të mirë “Mos injoro! Reago!” të Institutit për Studime të Komunikimit dhe mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup. Текстот е првично објавен ТУКА.