tema-reago-800x445.jpg

Maqedoninë e Veriut, deri në vitin 2050 në vazhdimësi do të ketë pakësim të resurseve të ujit nëpër lumenj. Pritet që deri në vitin 2030 të ketë ulje më të konsiderueshme të rendimenteve të kulturave strategjike bujqësore, pasi që pikërisht bujqësia është sfera më e goditur nga pakësimi i resurseve të ujit.

Destan JONUZI

Shkup, 30 qershor – Brenda dhjetë viteve të ardhshme, ndryshimet klimatike në Maqedoninë e Veriut do të kenë ndikimin e tyre në pakësimin e resurseve të ujit, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekologjike. Antonio Jovanovski nga Organizata rinore ekologjike “Go Green” thotë se resurset e ujit janë më të goditurat nga ndryshimet klimatike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

“Në planin e treta nacional për ndryshimet klimatike qartë theksohet se sa dhe cilët lumenj do të kenë mungesë të konsiderueshme të resurseve të ujit. Në mesin e tyre janë lumi Vardar dhe Bregallnica. Sipas strategjisë deri në vitin 2050 në vazhdimësi do të ketë pakësim të resurseve të ujit nëpër lumenj dhe hemisferë. Nga kjo goditje ekologjike më së shumti do të preket bujqësia, turizmi, pylltaria dhe biodiversiteti, pasi që uji është baza për të gjithë këto sektor. Në aspektin ekonomik më së shumti goditet bujqësia”, deklaroi për KOHA, Jovanovski.

Edhe nga Ministria e Bujqësisë theksojnë se ndryshimet klimatike gjithnjë e më shumë po bëhen të ndjeshme për bujqësinë. Nga atje bëjnë të ditur se tanimë janë marrë disa masa preventive, siç janë pajisjet në laboratorët e Entit Hidrometerologjik, subvencionimi i polisave të sigurimit për bujqit si dhe investimet që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe rindërtimin e sistemeve të ujitjes. Nga ana tjetër, Doc.Dr. Renata Qushterevska nga Instituti i Biologjisë pranë Fakultetit Matematiko- Natyrore të Universitetit të Shkupit thekson se Maqedonia e Veriut ka biodiversitet të pasur dhe unik për shkak të kompleksitetit të saj gjeografik dhe një kombinim të klimës kontinentale dhe mesdhetare, ka biodiversitetit të përfaqësuar nga afro 22000 specie, nga të cilat mbi 1000 specie endemike. Por shton, se funksionimi i tërë shoqërisë dhe ekonomisë në mënyrë indirekte varet nga ruajtja e produktivitetit të ekosistemeve të rëndësishëm në rrezik nga efektet e ndryshimeve të klimës.

“Ndryshimi i klimës është një kërcënim serioz për biodiversitetin pasi speciet kanë evoluar të jetojnë në një klimë të veçantë dhe shpesh nuk mund të përshtaten me temperatura më të larta, thatësira e shpeshta etj. Pikërisht për shkak të këtyre marrëdhënieve të ndërlikuara në ekosistemet, migracioni ose zhdukja e disa specieve, në mënyrë të pashmangshme do të rrezikojë speciet e tjera”, deklaroi për KOHA, Qushterevska.

Ndërkohë, që raportet e fundit tregojnë se në Maqedoninë e Veriut, në 20 vitet e fundit shënohet rritja mesatare prej dy gradë e temperaturës si dhe rënie e konsiderueshme të reshurave të shiut. Pritjet janë që deri në vitin 2030 të ketë ulje më të konsiderueshyme të rendimenteve të kulturave strategjike bujqësore si gruri dhe domateve në shtet deri në 50 për qind. Vlerësohet se lugina e lumit të Vardarit, rajonet e Strumicës, dhe Gjevgjelisë si dhe fushat e Kumanovës dhe Ovçe Poles janë më të prekshme nga rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë së tokës. Mirëpo dëme mund të priten në gjitha rajonet bujqësore të vendit me intensitet më të lartë , por edhe më të ulët. Për Maqedoninë e Veriut po ashtu mbetet sfidë edhe legjislacioni ekologjik i BE-së i cili përmban mbi 700 akte ligjore dhe është një nga kapitujt më voluminoz që duhet të reflektohet në mënyrë përkatëse në legjislacionin e Maqedonisë e më pas të zbatohet në praktikë për shkak të mjeteve të pakta që shteti ndan në këtë drejtim.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”)

Текстот е првично објавен ТУКА.