Lejla ka vetëm disa ditë që ka lindur dhe sot del nga Klinika e Gjinekologjisë “Nënë Terezë” në Çair. Nëna e saj, Milena Musovska mori një fletushkë në të cilën shkruan “Fidan për secilin fëmijë”. Ajo thotë se do të mbjellë një fidan për të bijën e saj në Parkun e Qytetit në Shkup.
“E para – është mirë të mbillen fidanë me qëllim që të ulet niveli i ndotjes. Dhe e dyta – është mirë që fëmijët të shohin se si rritet diçka që është mbjellë në nderin e tyre”, u shpreh Milena Musovska.
Deri më tani ka mbi 300 drunj të cilët i mbajnë emrat e fëmijëve. Për ta kujdeset Ndërmarrja “Parqe dhe Gjelbërime”.
“Prindërit e çdo fëmije të sapolindur në Shkup prej tani do të mund të mbjellin fidan në disa nga parqet e qytetit. Në secilin fidan do të ketë pllakë me emrin e fëmijës dhe datën e lindjes. Fidani i fëmijës së sapolindur do të mbillet në aksionin sezonal në ndonjërin lokacion të disponueshëm, sipas zgjedhjes së prindërve. Janë në dispozicion 18 lokacione në Shkup. Pas daljes nga klinika, prindërit do të duhet ta paraqesin kodin e fituar në 071 395 395”, Arbana Qerimi Klimenta, gazetare.
Luna tashmë ka fidan të vet në Parkun e Qytetit. Sot, prindërit e saj Aida dhe Valoni e vizituan për të parë se si rritet.
“Me rritjen e fidanit ashtu do të rritet edhe vajza. Shpresoj se do ta ketë atë lidhjen me natyrën dhe do të fitojë vetëdijesimin, edhe informatat se sa peshë ka një dru për ambientin ku jetojmë. Shpresoj se këtë send do ta shpërndajë me shoqërinë e saj, edhe ashtu si do të rritet dhe gjeneratat e reja do të jenë më të vetëdijshme me hapësirat që i kemi dhe se si duhet të ruhen”, deklaroi Valon Saliu nga Qyteti i Shkupit.
Nikolla Gjorgievski nga “Sheshi Liria” thotë se kjo është një qasje populiste dhe një masë e butë në krahasim me atë që mund ta bëjnë institucionet.
“Kjo mund të ndikojë edhe nga aspekti psikologjik, por më e tmerrshme është që mjedisi jetësor është i ndotur dhe për këtë arsye këta fëmijë nuk rriten në një qytet të shëndetshëm dhe të gjelbër. Mendoj se ndërhyrje të këtilla janë të buta në krahasim me atë se sa e keqe është gjendja me mjedisin, klimën dhe ekologjinë.”, theksoi Nikolla Gjorgievski nga OJQ “Sheshi Iliria”.
Drejtori i Ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërime”, Adrijan Muça, thotë se duhet punuar më shumë për ta ngritur vetëdijen e qytetarëve për rruajtjen e hapësirave të gjelbra.
“Për çdo ditë kemi thyerje të drunjve. Gjatë parkimit të veturave, kemi hasur në situatë ku kemi pasur vozitës të pandërgjegjshëm të cilët e kanë thyer drurin për të hyrë në parking. E mos të flas për vjedhjen e luleve për çdo ditë që e bëjnë. Për çdo ditë kemi raportime për vjedhjen e luleve të reja që po i mbjellim”, potencoi Drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërim”, Adrijan Muça.
Shumë shtete në mënyra të ndryshme po luftojnë për ripërtëritjen e drunjve të shkatërruar dhe për rruajtjen e mjedisit jetësor. Për shembull, Filipinet kanë sjellë një ligj i cili parasheh se asnjë nxënës apo student nuk mund të marrë diplomë nëse nuk mbjell së paku 10 fidanë. Llogaritjet e organeve kompetente janë: nëse merret parasysh numri i studentëve dhe nxënësve dhe nëse mbijetojnë 10% e fidanëve të mbjellë, atëherë çdo vit në Filipine do të ketë 175 milionë dru të rinj.
Përgatiti: Arbana Q.Klimenta
Со овој прилог, ТВ 21 се приклучува кон кампањата за подобра животна средина „Не игнорирај! Реагирај!, што ја спроведува Институтот за комуникациски студии и е финансирана од Британската амбасада во Скопје. Прилогот е првично објавен ТУКА.