veles-pozar.png

Hapësirat e gjelbra po shkatërrohen, kurse pyllëzohet më pak sipërfaqe. Sipas të dhënave të “Pyjeve Nacionale”, pyllëzimi në vitin 2017 ka qenë mbi 200 hektarë, në vitin 2018 janë pyllëzuar 400 hektarë, kurse sivjet është pyllëzuar 200 hektarë pyll. Nga ana tjetër, në vitin 2018 janë regjistruar gjithsej 129 zjarre. Janë djegur 2 mijë hektarë dhe 4.5 mijë metra kub drunj.

Rajoni i cili më së shumti ka pësuar nga zjarret e pyjeve këtë vit, ishte Babuna e Velesit, ku janë shkatërruar mbi një mijë hektarë pyll. Njëri nga dëshmitarët e zjarrit ishte peshkatari në Liqenin e Velesit, i cili mes miqve njihet si “Curata”. Atë ditë, ai ka qenë në shtëpizën e tij e cila gjendet pranë liqenit. Thotë se kur ka qenë në gjimnaz ka dhënë kontribut për pyllëzim. Shton se do të nevojiten 20 vjet që pylli të kthehet në gjendjen e mëparshme.

“Për pyllëzimin e pyllit me pisha mora pjesë kur isha në gjimnaz, rreth viteve 67-70. Ne i kemi mbjellë ato pisha, por tash të gjithë janë djegur. Për shkak se janë të yndyrta, digjnin sikur të ishin të mbushura me benzinë. Flakë të mëdha prej 30-50 metra. Kishte zhurmë të madhe. Ishte e tmerrshme. Nuk kam përjetuar një moment të tillë. Këta drunj janë të vjetër mbi 50 vjet, por tani duhet të priten që të mbillen të tjerë, të pritet 10-20 vite që të rriten dhe sërish të zëvendësohen. Përndryshe, këta drunj janë mushkëritë e natyrës”, tha Millanço Millano, peshkatar nga Velesi.

Kire Arsovi, i cili ka 3 mijë metra katrorë vreshta pranë Liqenit të Velesit, thotë se qytetarët vjedhin drunj dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat negative që i shkaktojnë.

“Kishte një zjarr përtej kodrës, bëhej fjalë për pyll me pisha. Kaq vite kanë kaluar, e as sot e kësaj dite nuk është rigjeneruar. Unë e mbaj mend, ishim fëmijë në gjimnaz dhe na çonin për t’i pyllëzuar këto lokacione, por gjithçka u dogj. Tash sërish zjarre. Deri kur do të zgjasë kjo, një Zot e di”, u shpreh Kire Arsov.


“Pamje të tmerrshme dhe erë të keqe po sundon pas një zjarri të madh që kaploi Velesin disa muaj më parë dhe shkatërroi kafshë të egra. 400 hektarë sipërfaqe e gjelbëruar u dogj nga të cilat 200 hektarë me lis shkaktuan dëme prej një milion eurosh. 20 mijë metra kub drunj ose nëse e llogarisim, po aq dru sa përdorin banorët e Velesit për sezonin e ngrohjes”, Arbana Qerimi Klimenta, gazetare.

Sipas profesorit në Fakultetin e Pylltarisë, Lupço Nestorovski, shkatërrimi i pyjeve paraqet katastrofë për eko-sistemin. Do të bëhet ende më keq, nëse organet kompetente nuk ndërmarrin diçka, paralajmëron ai.

“Para se të priten drunjtë, ndizet zjarr me qëllim që fshatarët që jetojnë atje, drunjtë e djegur t’i marrin me çmim më të lirë dhe t’i shesin për çmim më të lartë. Zjarret në 99% të rasteve janë shkaktuar nga njerëzit. Ka shumë pak zjarre që janë shkaktuar nga vetvetja. 50% e zjarreve janë shkaktuar qëllimisht. Kjo është katastrofë për eko-sistemin. Kemi gjithnjë e më shumë ndryshime klimatike, kurse adaptimi i këtyre drunjve është proces shumë i vështirë”, tha profesori Lupço Nestorovski.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, nga viti 1990 e tutje janë pyllëzuar më pak sipërfaqe se në 1980-tën. Mes viteve 1980-1989, në Maqedoni janë pyllëzuar mbi 76 mijë hektarë sipërfaqe, që i bie më shumë se në tre dekadat që vijuan. Brenda periudhës 1990-1999 janë pyllëzuar 32 mijë hektarë, pastaj në dekadën e ardhshme, respektivisht nga viti 2000 deri në vitin 2009 – 19 mijë, kurse në dekadën e fundit, prej vitit 2010 deri në 2019-tën janë pyllëzuar vetëm 11.801 hektarë sipërfaqe.

Autor: Arbana Qerımı